Agregimi i sektorit, ERRU vizitë në Shoqërinë Rajonale UK Fier
Në kuadër të ecurisë së procesit të rajonalizimit të sektorit dhe problematikat që shfaqin shoqëritë tashmë të rajonalizuara, Enti Rregullator i Ujit zhvilloi një vizitë pune në Shoqërinë Rajonale UK Fier. Ajo ka një zonë mjaft të gjerë shërbimi që përfshin konsumatorët e bashkive: Fier, Patos, Roskovec dhe Mallakastër. Duke patur një bilanc financiar negativ, sfida kryesore e Shoqërisë Rajonale UK Fier, krahas furnizimit me ujë 24 orë, është përmirësimi treguesve financiare të performancës.
Për këtë synim, me ndihmën e konsulencës së huaj, shoqëria ka hartuar një plan biznesi 5-vjeçar ku parashikohet gradualisht arritja e objektivit të qëndrueshmërisë financiare deri në operimin me bilanc financiar pozitiv. Në zbatim të këtij plani, Shoqëria Rajonale UK Fier do të aplikojë pranë ERRU-së për tarifa të unifikuara në të gjithë zonën e shërbimit, detaje të së cilës ishin një nga tematikat kryesore të diskutimit me stafin menaxhues të shoqërisë.
Ky proces kërkon ndihmën dhe mbështetjen e ERRU-së për të hartuar një propozim sa më konsistent dhe me objektiva agresive dhe mjaft sfidues për t’u arritur.