Paris, takimi i 20-të i Rrjetit të Rregullatorëve Ekonomikë (NER)
U zhvillua sot në Paris takimi i 20-të i Rrjetit të Rregullatorëve Ekonomikë të OECD, në të cilin ishte prezent edhe Enti Rregullator i Ujit, me një përfaqësi të kryesuar nga Znj.Ediola Braha, Anëtare e Komisionit Kombëtar Rregullator.
Çështjet kryesore të diskutimit u fokusuan në indikatorët me të cilët operojnë rregullatorë në sektorë të ndryshëm, përditësimi i procesit si dhe kontributi i rregullatorëve në nxitjen e mekanizmave për mbrojtjen e mjedisit.
Ky vit shënon dhjetë vjet nga krijimi i NER, i cili daton në vitin 2013 me ambicien për të bërë bashkë autoritetet rregullatorë që lidhen me sektorët e komunikimeve elektronike, energjinë, transportin dhe ujin. Në një dekadë është bërë i mundur krijimi i një platforme ku rregullatorë nga e gjithë bota ndajnë përvojat e tyre me praktikat, idetë dhe zgjidhjet inovatore.
Me interes të veçantë janë trajtuar problemet mbi rritjen e performancës së rregullatorëve përmes të dhënave të sakta dhe dialogut të hapur për eksperiencat më të mira.
Në një sesion të veçantë, delegatët u ftuan të reflektojnë mbi arritjet e një dekade dhe orientimin e punës mbi fushat prioritare në dhjetë vitet e ardhshme.