Raporti vjetor, seancë dëgjimore në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin

Në kuadër të detyrimit ligjor si dhe rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit për t’u realizuar gjatë vitit 2022, Enti Rregullator i Ujit (ERRU) raportoi në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin mbi aktivitetin dhe performancën e sektorit të ujit në Shqipëri gjatë vitit që shkoi. ERRU u përfaqësua në seancë dëgjimore nga kryetari Z.Ndriçim Shani, anëtari i komisionit Z.Namik Simixhiu dhe Znj.Fatime Imeraj, Sekretar i Përgjithshëm.


Gjatë prezantimit të raportit vjetor, kryetari Z.Shani u ndal në reformimin e sektorit, i cili konsiston në agregimin e sektorit në 15 Shoqëri Rajonale UK, nga 58 ekzistuese. Gjatë procesit të reformës, ERRU ka luajtur një rol mjaft aktiv në mbështetje të realizimit të saj duke lehtësuar ecurinë e procesit, qoftë në transferimin e licencave si dhe përdorimit të tarifave aktuale deri në miratimin e tarifave të reja nga Komisioni Kombëtar Rregullator.


Nga analiza e Treguesve kryesorë të performancës për vitin 2022 rezulton se pothuajse të gjitha janë të përmirësuara, me përjashtim të Mbulimit të Kostove të Operim Mirëmbajtjes, i cili ka influencuar në mënyrë të ndjeshme në përkeqësimin e performancës financiare të shoqërive në tërësi. Shkaku kryesor në uljen e këtij treguesi ka qenë rritja me rreth 65 % e çmimit të energjisë elektrike si rezultat i krizës globale. Në këtë kuadër, Z.Shani nënvizoi se përballimi i kësaj sfide për shoqëritë UK duhet të orientohet në rritjen e Eficiencës së Energjisë dhe gjetja prej tyre e burimeve alternative të rinovueshme.


Gjatë vitit 2022 vëmendje e shtuar i është kushtuar monitorimit të performancës së shoqërive në terren duke vizituar 26 të tilla, si edhe mbrojtjes së konsumatorëve duke veçuar si risi lançimin e mekanizmit më të ri të pranimit të ankesave online. Në përmbushje të detyrimeve ligjore kundrejt sektorit UK dhe konsumatorëve, ERRU zotohet në rritjen e angazhimit të tij për të forcuar pavarësinë, transparencën dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në mënyrë të tillë që me autoritetin e vet rregullator të krijojë ekuilibrin e duhur midis ofruesve të shërbimeve, politikë bërësve dhe konsumatorëve.


Në dëgjesën, e cila zgjati për më shumë se dy orë, u zhvillua një seancë pyetje përgjigjesh mbi zhvillimin e sektorit apo shqetësime të përcjella nga anëtarët e komisionit. Pas kësaj dëgjese, Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin do të bëjë rezolutën përkatëse me rekomandimet që ERRU duhet të ketë parasysh për t’i realizuar gjatë vitit 2023.

Për t’u njohur me Raportin Vjetor për vitin 2022, klikoni këtu https://erru.al/…/upl…/2023/03/Raporti_Vjetor_2022-FINAL.pdf