ERRU në Asamblenë e 27-të të WAREG
Mbi 50 përfaqësues të lartë të rregullatorëve evropianë të ujit, përfshirë Shqipërinë, u mblodhën në Lisbonë përgjatë datave 7-8 mars në Asamblenë e 27-të të Shoqatës Europiane të Rregullatorëve të Ujit (WAREG).
Si anëtare me të drejta të plota, ERRU, e përfaqësuar nga kryetari, Z.Ndriçim Shani dhe komisioneri Z.Namik Simixhiu bashkë me anëtarët e tjerë të shoqatës diskutuan dhe miratuan planin 3-vjeçar të veprimit, i cili përpos të tjerash promovon bashkëpunimin rajonal midis vendeve të unionit evropian dhe atyre që synojnë t’i bashkohen.
Gjatë asamblesë u zhvilluan disa takime, si ai midis vendeve të Ballkanit Perëndimor për të çuar më tej marrëveshjen e nënshkruar vitin e kaluar në Shqipëri, takimi i grupit të punës për Treguesit Kryesorë të Performancës, dedikuar veçanërisht humbjeve të ujit si dhe Task Forca për mbetjet.
Një pikë me rëndësi ishte zgjedhja e Bordit të ri të WAREG, ku anëtarët rikonfirmuan në detyrë për 2023-2024 presidentin Andrea Guerrini, ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Vera Eiro, Szilvia Szaloki dhe Ivaylo Kastchiev, përfaqësues të rregullatorëve ekonomikë të ujit në Portugali, Hungari dhe Bullgari.
Një tjetër vendim i marrë gjatë Asamblesë ishte miratimi i projekt udhëzimeve të WAREG drejtuar Komisionit Europian mbi Direktivën për Ujin e Pijshëm dhe Kanalizimet si dhe raporti për mbulimin e kostove të energjisë në metodologjinë e tarifave që synon t’u ofrojë qeverive një analizë të thellë për zbutjen e ndikimit të çmimit të rritur të energjisë në tarifat e ujit.
Organizime të tilla janë një mundësi më shumë për të ndarë reflektimet, praktikat dhe idetë më të mira për përmirësimin e sektorit si dhe forcimin e bashkëpunimit për çështje që lidhen me menaxhimin e ujit.