Publikohet Raporti i Performancës së Shoqërive Ujësjellës Kanalizime për 2024

Në përmbushje të detyrimit ligjor si institucion publik i pavarur Komisioni Kombëtar Rregullator miratoi Raportin e Performancës për Shoqëritë Ujësjellës 2024. Aty jepet një pasqyrë e zhvillimit të sektorit UK dhe vlerësimit të performancës për secilën shoqëri UK, krahasuar me vitin paraardhës (benchmarking) duke shërbyer gjithashtu si instrument transparence dhe informimi publik për të gjithë aktorët e përfshirë në sektorin e ujit.

Viti 2024 konsiderohet si viti i dytë i implementimit të reformës në sektorin e ujit në Shqipëri, ku deri në mbyllje të vitit janë krijuar 14 shoqëri rajonale UK, nga 15 të planifikuara sipas reformës. Ndërkohë, në sektor vazhdojnë të operojnë 3 shoqëri UK ekzistuese si SHUK Tiranë, Kamëz dhe Vorë.

Reforma në sektorin UK gjatë vitit 2024, ka dhënë ndikim pozitiv, duke çuar në përmirësim të ndjeshëm në shumicën e treguesve të performancës, veçanërisht në gjendjen financiare të sektorit, në krahasim me vitin paraardhës, i cili përbënte një ndër objektivat kryesorë të reformës dhe të Strategjisë Sektoriale Kombëtare 2023-2030.

Mbulimet e Kostove Totale dhe ato O&M kanë një përmirësim të ndjeshëm, ndërsa Norma e Arkëtimit Korente është përmirësuar me 0.7%. Përmirësimi i treguesit të Kostove O&M, vjen kryesisht si rezultat i uljes së disa prej kostove, me përjashtim të kostove të punës. Ndikimin kryesor e japin reduktimi i kostove të materialeve kimikate, duke vijuar më tej me kostot e karburanteve, kostot e tjera operacionale si dhe kostot e shërbimeve të nënkontraktuara.

Gjithashtu edhe mbulimi i Kostove Totale ka rritje si pasojë e uljes së kostove të amortizimit dhe interesat & principalet. Treguesit e tjerë të përmirësuar për vitin 2024 lidhen direkt me rritjen e cilësisë së shërbimit të ofruar ndaj konsumatorëve dhe menaxhimin më të mirë të shoqërive UK.

Për të lexuar dokumentin e plotë klikoni në: https://erru.al/wp-content/uploads/2025/08/Raporti_Performances_2024-31.07.2025_compressed.pdf.