OECD zhvillon takimin e 23-të të Rrjetit të Rregullatorëve Ekonomikë
Në datat 18-19 nëntor, në Paris u mbajt Takimi i 23-të i Rrjetit të Rregullatorëve Ekonomikë (NER) të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), në të cilën mori pjesë një përfaqësi e lartë nga Enti Rregullator i Ujit: Znj. Evis Shurdha dhe Znj. Ediola Braha, Anëtarë të Komisionit Kombëtar Rregullator, Znj. Fatime Imeraj, Sekretar i Përgjithshëm dhe Znj. Malvina Zaja, specialiste ligjore.
ERRU ishte pjesë e tryezës së diskutimeve të NER, të cilat u fokusuan në:
– Qeverisjen e rregullatorëve në kontekste të ndryshme
– Rregullatorët si komunikues
– Drafti i Parimeve të Praktikave më të mira mbi lejet dhe licencimet
Çështja e parë për diskutim solli në vëmendje tranzicionet digjitale dhe ato klimatike, faktorë që ndryshojnë objektivat duke shtruar sfida dhe detyra të reja për rregullatorët ekonomikë. Në përgjigje të këtyre ndryshimeve, rregullatorët lipset të jenë më elastikë si dhe të përfshijnë funksione shtesë si menaxhimi i krizave.
Në çështjen e dytë për diskutim u fol për rolin e rregullatorëve në mënyrën se si ia komunikon rreziqet e reja sektorit dhe publikut, për të nxitur perceptimin e saktë të këtyre rreziqeve duke ofruar informacion të nevojshëm për konsumatorët por edhe si një mjet për të krijuar besueshmëri në radhët e popullatës.
Një sesion më vete iu dedikua parimeve e praktikave më të mira në drejtim të dhënies së lejeve dhe licencimeve, për të cilat sekretariati i OECD po punon për hartimin e një drafti. Delegatët pjesëmarrës nga shumë vende të botës ndanë eksperiencat e tyre për sisteme efektive licencimi, të cilat duhet të jenë bazuar në rrisqe dhe orientuar drejt rezultatit.
OECD mbledh dy herë në vit Rrjetin e Rregullatorëve Ekonomikë (NER), një platformë e krijuar për të nxitur dhe promovuar dialogun, sfidat dhe zgjidhjet inovatore midis 70 rregullatorëve ekonomikë nga vende dhe sektorë të ndryshëm si komunikacioni, energjia, transporti dhe uji.