ERRU në Konferencën dhe Ekspozitën e Përbashkët Ballkanike

Për të dymbëdhjetin vit, në datat 5 deri 7 nëntor shoqatat ujësjellës kanalizime në Shqipëri e Kosovë, SHUKALB dhe SHUKOS organizuan Konferencën dhe Ekspozitën e Përbashkët Ballkanike, në të cilën morën pjesë edhe një përfaqësi nga Enti Rregullator i Ujit.  

Në këtë event që mblodhi për tri ditë qindra pjesëmarrës nga sektori i ujit, ERRU u paraqit me një prezantim “Reforma në sektorin e ujit: Përmbushja e kuadrit rregullator dhe ndikimi në performancë”. Drejtori i Drejtorisë Tekniko-Ekonomike, Z. Sokol Kraja bëri një pasqyrim të situatës së sektorit UK pas reformës së ndërmarrë nga qeveria qendrore në maj të vitit 2022, parë nga pikëpamja rregullatore në drejtim të përmbushjes së kërkesave ligjore të ERRU-së si dhe impakti fillestar i reformës në drejtim të përmirësimit të performancës së sektorit.

Procesi i riorganizimit dhe realizimit me sukses të reformës, nënvizoi Z. Kraja, ka qenë një proces kompleks me shumë sfida dhe të panjohura gjatë implementimit në terren. Shoqëritë Rajonale të krijuara u përballën me një sërë problematikash në drejtim të menaxhimit, operimit, të situatës financiare të shoqërive UK ekzistuese, të cilat u evidentuan edhe në auditimin e kryer nga ekspertët e pavarur dhe drejtuesit e shoqërive UK Rajonale.

Konferenca solli edhe shumë takime me synimin për të nxitur një qasje të koordinuar për zhvillimin e kapaciteteve në fushën e ujërave mes aktorëve kombëtarë dhe rajonalë duke lehtësuar shkëmbimin e njohurive duke diskutuar mekanizmat inovativë dhe duke promovuar praktikat më të mira.

Tema e konferencës së përvitshme frymëzohet nga Dita Botërore e Ujit që këtë vit ka tematikën: “Bashkëpunimi fqinjësor: Promovimi i paqes përmes menaxhimit ndërkufitar të ujit”. Ky është eventi më i madh në fushën e ujit në Ballkanin Perëndimor, pasi ofron një platformë që bën bashkë profesionistë të ujit, politikë bërës dhe profesionistë të biznesit për të diskutuar e shkëmbyer informacione me rëndësi në zhvillimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.