Shoqëria Rajonale UK Korçë mbyll ciklin e dëgjesave publike
Me seancat dëgjimore të mbajtura sot në Korçë e Kolonjë, Shoqëria Rajonale UK Korçë mbylli ciklin e dëgjesave me konsumatorët mbi propozimin për ndryshim të nivelit tarifor që pritet të dorëzojë së shpejti pranë Entit Rregullator i Ujit.
Një përfaqësi nga Drejtoria Tekniko-Ekonomike në ERRU morën pjesë në seancat dëgjimore të zhvilluara me praninë e përfaqësuesve nga shoqëria rajonale, pushteti vendor, kryepleq të fshatrave përreth dhe një numri të konsiderueshëm konsumatorësh.
Pasi ndoqën prezantimin e përgatitur nga Shoqëriq Rajonale UK Korçë për Njësinë Operative Korçë, anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe konsumatorët i kërkuan shoqërisë rritje të vëmendjes në drejtim të transparencës ndaj konsumatorëve.
Ndërsa në seancën dëgjimore në Njësinë Operative Kolonjë, konsumatorët u shprehën kundër ndryshimit të nivelit të tarifave për shkak të pamundësisë financiare të qytetarëve për të paguar faturat e ujit.
Një ditë më parë, ERRU ndoqi dëgjesat publike në Maliq, Pustec e Devoll, një pjesë e rëndësishme e procesit përpara aplikimit për ndryshim të tarifave të shërbimit UK.
Me ftesë të Shoqërisë Rajonale UK Gjirokastër, ERRU dërgoi përfaqësuesit e saj, Znj. Etleva Demiri, Përgjegjëse e Sektorit Teknik dhe Licencave dhe Znj. Laureta Sinani, specialiste pranë këtij sektori, të cilat ndoqën prezantimin e shoqërisë në të dy njësitë operative të saj: Memaliaj dhe Tepelenë.
Administratori i Shoqërisë Rajonale UK Gjirokastër, Z. Gentian Llogo bashkë me stafin e tij njohu konsumatorët me situatën aktuale të sektorit duke bërë një bilanc me të dhënat financiare, paraqitën kostot dhe objektivat për përmirësimin e Treguesve të Performancës së shoqërisë dhe propozimin për ndryshim të nivelit tarifor si një ndër mekanizmat drejt arritjes së këtyre objektivave.
Në dy ditët në vijim, në datat 26 dhe 27 qershor do të zhvillohen dëgjesat e radhës me qytetet e tjera të zonës së mbulimit të Shoqërisë Rajonale UK Gjirokastër: Gjirokastër, Libohovë, Dropull, Përmet dhe Këlcyrë.
Krahas transparencës me konsumatorët, seancat dëgjimore shërbejnë edhe për informimin e tyre në lidhje me pengesat që has shoqëria në plotësimin e standardeve të cilësisë, njohjen me qëllimet e shoqërisë si dhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve në lidhje me detyrimet që duhet të përmbushin me qëllim për të patur një shërbim më cilësor.