Ndryshimi i nivelit tarifor, Shoqëria Rajonale UK Berat dëgjesë me konsumatorët
Shoqëria Rajonale UK Berat zhvilloi në datat 24 dhe 25 qershor seancat dëgjimore me publikun mbi propozimin për ndryshim të nivelit tarifor në pesë bashkitë që mbulon me shërbim ujësjellës kanalizime: Skrapar, Polican, Berat, Kuçovë dhe Dimal.
Enti Rregullator i Ujit, përmes përfaqësuesve: Znj. Adriana Dema, specialiste pranë Sektorit Teknik dhe Licencave dhe Znj. Etilda Taka, specialiste e Sektorit Ekonomik e Tarifave ndoqën me vëmendje të gjitha dëgjesat e zhvilluara përgjatë dy ditëve me pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm konsumatorësh, përfaqësues nga pushteti vendor dhe shoqëria rajonale.
Në pesë bashkitë, Z. Pelivan Sinaj, administratori i Shoqërisë Rajonale UK Berat prezantoi një pasqyrë të gjendjes aktuale të sektorit në secilën prej tyre duke parashtruar nevojën për të ndryshuar nivelin tarifor me qëllim përmirësimin e performancës së shoqërisë dhe nivelin e shërbimit që iu ofrohet konsumatorëve.
Seancat dëgjimore me publikun i paraprijnë propozimit që Shoqëria Rajonale UK Berat do të dorëzojë pranë ERRU-së për miratim të ndryshimit të tarifës së shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.