ERRU në Asamblenë e 32-të të WAREG
Shoqata Evropiane e Rregullatorëve të Ujit (WAREG) zhvilloi sot në Shkup mbledhjen e 32-të të Asamblesë, të dytën për këtë vit, e cila përkon me dhjetë vjetorin e themelimit të saj. Enti Rregullator i Ujit mori pjesë me një përfaqësi të kryesuar nga Z.Ndriçim Shani, kryetar i ERRU.
Punimet e asamblesë u hapën me kërkesën e Greqisë për t’u anëtarësuar me të drejta të plota në WAREG, për të vijuar me prezantimin e dy modeleve rregullatore në Mbretërine e Bashkuar dhe ne Hungari.
Më tej, çdo anëtar i WAREG, prezent dhe online, prezantoi barrierat kryesore me të cilat përballet sektori i ujësjellës kanalizimeve dhe rregullatori i ujit, si dhe prioritetet kyçe në të ardhmen e afërt për qëndrueshmërinë financiare të sektorit të shërbimeve për konsumatorët dhe zbatimin e direktivave Europiane për ujërat.
Punimet e Asamblesë u mbyllën me një sesion të hapur diskutimesh që konkluduan me një përmbledhje të të gjitha çështjeve të trajtuara gjatë ditës.