ERRU merr pjesë në dëgjesat e Shoqërisë Rajonale UK Shkodër
Enti Rregullator i Ujit mori pjesë sot në tre seanca dëgjimore të zhvilluara në Shkodër, Vaun e Dejës dhe Malësinë e Madhe, të organizuara nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Shkodër mbi propozimin për nivel të ri tarifor për shërbimet UK.
Në të tri seancat e zhvilluara në sallat e këshillave bashkiakë me konsumatorë, përfaqësues nga pushteti vendor dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, Shoqëria Rajonale UK Shkodër paraqiti një përmbledhje të situatës në sektor për secilin qytet duke parashtruar nevojën për ndryshimin e tarifave me qëllim përmirësimin e Treguesve të Performancës dhe arritjen e objektivave të vendosura më herët.
Seanca dëgjimore është shoqëruar me jo pak debate nga banorët, të cilët u shprehën kundër propozimit të shoqërisë me argumentin se cilësia e shërbimit që marrin nuk justifikon faturat që paguajnë aktualisht. Ndërkohë, në Vaun e Dejës u vu re një interes i ulët në pjesëmarrje nga publiku, me gjithë lajmërimet e shoqërisë në mediat lokale dhe rrjetet sociale.
Seancat dëgjimore me konsumatorët janë parakusht për shoqëritë rajonale UK përpara se të paraqesin propozimet për tarifa të reja, përmes të cilave ERRU sigurohet që konsumatorët të dëgjohen dhe procedura e miratimit të tarifave të shërbimit të jetë transparente dhe gjithëpërfshirëse.