Kuvendi i Shqipërisë miraton Rezolutën mbi vlerësimin e veprimtarisë së ERRU për 2023
Në seancën e datës 06.06.2024, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Projektrezolutën mbi Raportin Vjetor të veprimtarisë së Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për vitin 2023.
Kuvendi i Shqipërisë vlerëson punën e ERRU në kuadër të reformimit të sektorit UK, licencimin e shoqërive të reja rajonale, nënshkrimin e dy marrëveshjeve të bashkëpunimit me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK), hartimin e Strategjisë Sektoriale të Shërbimeve UK 2020-2030 si dhe kontributin e ERRU si pjesë raportuese e Grupit Ndërinstitucional të Punës për Integrimin Evropian dhe grupit për hartimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e konsumatorit dhe Mbikëqyrjen e Tregut 2023-2030.
Në rezolutën e miratuar përfshihen edhe 13 rekomandime të Kuvendit të Shqipërisë për vitin aktual, të cilat lidhen me asistencën e nevojshme të ERRU-së për shoqëritë rajonale që hasin problematika në propozimet për tarifa të reja, bashkëpunimin e mëtejshëm me AKUK në ngritjen e një sistemi të integruar të të dhënave dhe Treguesve Kryesorë të Performancës, llogaridhënien e shoqërive për pajisjen e të gjithë klientëve me matës, monitorime mbi cilësinë dhe sasinë e ujit, ndërgjegjësimin e konsumatorëve për të drejtat dhe detyrimet që kanë, reduktimin e abuzimeve në punësimin e stafit të shoqërive e veçanërisht ndjekjen e një politike agresive ndaj shoqërive për përmirësimin e Treguesve të Performancës. Në kuadër të hapjes së negociatave me BE, Kuvendi rekomandon gjithashtu që ERRU të kontribuojë në përmbushje të kërkesave të Acquis në lidhje me Direktivat Evropiane për Ujin e Pijshëm, Ujërat e Ndotura dhe të Llumrave të ITUN.