ERRU në Forumin e tretë Evropian mbi Rregullimin e Shërbimeve të Ujit
Një ekip nga Enti Rregullator i Ujit, përfaqësuar nga kreu i ERRU, Z. Ndriçim Shani morën pjesë sot në Forumin Evropian mbi Rregullimin e Shërbimeve të Ujit “Një rregullim më i mirë për neutralizimin e ndryshimeve klimatike”, nën organizimin e Shoqatës së Rregullatorëve Evropianë (#WAREG).
Në fjalën hyrëse, Presidenti i WAREG, Z. Andrea Guerrini nënvizoi se ky Forum shërben si një pikë takimi për vendet që janë pjesë e shoqatës së rregullatorëve evropianë dhe janë në proces përafrimi të standardeve mjedisore me BE-në, midis të cilëve bën pjesë Shqipëria. “WAREG është i angazhuar në Ballkanin Perëndimor për të nxitur integrimin evropian dhe shkëmbimin e zgjidhjeve rregullatore për një shërbim dhe cilësi më të mirë të ujërave”, u shpreh Z.Guerrini.
Në panelin e parë u trajtua Direktiva e re e BE-së për Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane me ndikimet e mundshme në tarifat e shërbimeve për vendet që janë pjesë e unionit evropian, ndërsa paneli i dytë u fokusua në vizionin e BE-së për neutralizimin e ndikimeve klimatike dhe lidhjen e ujit me energjinë.
Duke qenë se sektori i shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizime mbeten konsumatorët më të mëdhenj të energjisë, kërkohet vendosja e objektivave më agresive nga rregullatorët me qëllim për të harmonizuar menaxhimin e burimeve ujore me eficencën e energjisë.
Paneli i fundit lidhet me ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj sfidave mjedisore gjithnjë në rritje duke u fokusuar në gjetjen e zgjidhjeve inovative, ngritjen e kapaciteteve dhe rëndësinë e bashkëpunimit për të siguruar ujë për të gjithë.