ERRU në konferencën ndërkombëtare “Shërbimet UK në qytete inteligjente”
Shoqata e Shoqërive UK të Maqedonisë së Veriut (ADKOM) organizoi më 18-19 tetor 2023 Konferencën e 11-të Ndërkombëtare me temë: “Shërbimet e Shoqërive UK në Qytete” me fokus modernizimi i operimit të Shoqërive UK, dhe ndikimi i tij në cilësinë e shërbimit që ato u ofrojnë konsumatorëve si pjesë e rëndësishme e cilësisë së jetës së tyre.
Nevoja për rregullimin e sektorit, ndërtimi dhe operimi i impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura me metoda të përparuara, aplikimi i metodave të reja digjitale për menaxhimin e shërbimeve UK transparenca dhe komunikimi i vazhdueshëm me konsumatorët janë disa nga prioritetet e punës që shoqëritë UK duhet të kenë vazhdimisht gjatë aktivitetit të tyre.
Në konferencë u trajtua veçanërisht përmirësimi i procesit të monitorimit të digjitalizuar të shërbimeve dhe në veçanti të burimeve ujore nëntokësore në kushtet e ndryshimeve klimatike dhe të evidentimit të pakësimit të sasisë së ujit në to. Në këtë konferencë ishte e ftuar edhe ERRU, i cili u përfaqësua nga Kryetari Z. Ndriçim Shani dhe komisioneri Z. Namik Simixhiu.
Një nga sesionet më të rëndësishme të konferencës ishte “Eksperienca dhe roli i rregullatorit në transformimin digjital” ku pjesë e panelit ishte Z. Ndriçim Shani. Prezantimi i tij u fokusua në gjendjen aktuale të digjitalizimit të operimeve nga ana e shoqërive UK në Shqipëri, roli i rregullatorit për përmirësimin e digjitalizimit të shërbimeve UK si dhe sfidat në të ardhmen. Prezantimi u ndoq me interes dhe pati mjaft pyetje nga audienca mbi këtë argument. Konferenca u ndoq nga rreth 500 pjesëmarrës të institucioneve publike dhe universiteteve në Ballkan.