ERRU në seancën dëgjimore në Kavajë e Rrogozhinë
Përfaqësues nga Enti Rregullator i Ujit morën pjesë sot në dy dëgjesa të tjera publike të organizuara nga Shoqëria Rajonale UK Durrës, përkatësisht në Kavajë e Rrogozhinë.
Përpara dorëzimit në ERRU të propozimit për ndryshim të tarifës së shërbimit UK, shoqëria ka përgatitur dhe prezantoi sot materialin me situatën aktuale të shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve, si dhe të gjendjes financiare në Njësinë Operative Kavajë dhe Njësinë Operative në Rrogozhinë.
Gjatë dëgjesës me banorët në të dy seancat, stafi i deleguar nga Shoqëria Rajonale bënë një bilanc me të dhënat financiare, kostot si dhe objektivat për përmirësimin e Treguesve të Performancës së shoqërisë dhe cilësisë së shërbimit që ofrohet për konsumatorët. Një ndër mekanizmat drejt arritjes së objektivave për përmirësimin e gjendjes financiare të shoqërisë dhe të cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorëve është ndryshimi i tarifës së shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.
Në fund të seancave dëgjimore u zhvilluan diskutime dhe u dëgjuan kërkesat e konsumatorëve për problematikat që i shqetësojnë për shërbimet e ofruara, por nuk pati kundërshti mbi propozimin e shoqërisë.