Shoqëria Rajonale UK Durrës, dëgjesë me konsumatorët për ndryshim tarife
Ditën e sotme, Shoqëria Rajonale UK Durrës zhvilloi seancë dëgjimore për ndryshim të tarifës së shërbimit me konsumatorët e dy qyteteve në zonën e saj të shërbimit: Durrës dhe Shijak.
Enti Rregullator i Ujit, përmes përfaqësuesve të saj, ndoqi të dy seancat dëgjimore të organizuara nga shoqëria, ku fillimisht bënë një përshkrim të gjendjes së shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizime, e më pas shtruan nevojën për ndryshimin e nivelit tarifor.
Dëgjesat me konsumatorët vijuan me pyetje, diskutime dhe problematika në lidhje me përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe rritjes së kohëzgjatjes së furnizimit me ujë.
Organizimi i seancave dëgjimore me publikun janë një detyrim për shoqërinë përpara se të aplikojë pranë ERRU-së për tarifë të re shërbimi. Ajo ka për qëllim sqarimin dhe përfshirjen e konsumatorëve në procesin e propozimit të tarifave të reja, rritjen e transparencës, besimit dhe bashkëpunimit të shoqërisë me konsumatorët familjarë, publikë e privatë, në përmbushje të misionit të saj në shërbim të këtij të fundit.