ERRU në Asamblenë e 29-të të WAREG
U zhvillua sot Asambleja e Përgjithshme e 29-të e Shoqatës së Rregullatorëve Evropianë, nën organizimin e Rregullatorit Malazez për Ujin dhe Energjinë (REGAGEN). Në asamble morën pjesë përfaqësues nga rregullatorë të 29 vendeve evropiane, përfshirë Entin Rregullator të Ujit në Shqipëri (ERRU), për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit të sektorit të ujit.
Asambleja u hap me një përditësim të punës së kryer nga sekretariati në zbatim të programit të punës së WAREG mbi marrëdhëniet me EU – reforma dhe ndryshimet në direktivën mbi mbetjet urbane; rritja e bashkëpunimit rajonal midis rregullatorëve përmes projekteve të financuara nga BE si dhe punës në drejtim të rritjes së vizibilitetit të WAREG. Për të vijuar më tej me sfidat e sektorit të ujit dhe tiparet kryesore rregullatore të vendit pritës të aktivitetit, Mali i Zi, si dhe prezantimin dhe miratimin e Raportit të WAREG mbi Treguesit Kryesorë të Performancës (KPI).
Pjesë e diskutimit ishin ndikimet e pritshme ekonomike të propozimit të BE-së për një Direktivë të re për Trajtimin e Ujërave të Ndotura duke u ndalur në nenet kryesore të propozimit të Komisionit Evropian. Përgatitjet për Forumin e 3-të Evropian dhe Asamblenë e ardhshme ishin gjithashtu objekt diskutimi dhe dakordësimi.