ERRU merr pjesë në seminarin rajonal mbi “Sunshine regulation”
Shoqata Evropiane e Rregullatorëve të Ujit (WAREG) në bashkëpunim me Entin Rregullator i Ujit (ERRU) dhe mbështetjen e programit TAIEX të Komisionit Evropian organizuan sot seminarin e parë rajonal për autoritetet rregullatore të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Seminari u fokusua në dhënien e këshillave dhe udhëzimeve të duhura për përdorimin e Treguesve Kryesorë të Performancës (KPI) me fokus të veçantë në qasjen e “sunshine regulation” për rregullimin e sektorit UK në Ballkanin Perëndimor.
Ekspertë të WAREG dhe autoriteteve rregullatore në Hungari, Portugali e Itali mbajtën prezantime duke trajtuar aspekte konkrete mbi mbledhjen e të dhënave dhe kriteret për vlefshmërinë e tyre. Këto të fundit janë përcaktuese për KPI, me qëllim matjen e performancës së shoqërive, për të vendosur më tej objektivat dhe synimet e duhura për përmirësimin e ecurisë së tyre, efikasitetit dhe transparencës së gjithë sektorit.
Ky seminar vjen një ditë pas zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme të WAREG, i cili vijon kontributin e tij në promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të praktikave të mira në adresimin e problematikave. Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë përfituese direkte nga ky projekt, ndërsa Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia morën pjesë si vëzhgues.