
Znj. Gerta Lubonja
Kryetar i Komisionit Kombëtar Rregullator
Znj. Lubonja, aktualisht Kryetare e Komisionit Kombëtar Rregullator të Entit Rregullator të Ujit në Shqipëri ka mbi 20 vjet përvojë në fushën inxhinierike, menaxhimin e ujërave dhe hartimin e politikave publike në këtë fushë. E diplomuar për Inxhinieri Hidroteknike pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, ajo ka ndjekur specializime të avancuara në Japoni, Austri dhe Turqi, duke thelluar ekspertizën e saj jo vetëm në menaxhimin e ujërave, por edhe në fusha të tjera të lidhura me infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj. Gjatë periudhës 2004–2014, ka qenë e angazhuar në sektorin privat, duke marrë pjesë në hartimin e një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore. Në vitin 2011, u zgjodh anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku për një mandat 4-vjeçar drejtoi Komisionin e Rregullimit të Territorit, duke kontribuar në zhvillimin urban dhe menaxhimin e qëndrueshëm dhe të integruar të kryeqytetit. Në vitet 2014–2024 ka qenë pjesë e administratës publike. Përgjatë viteve 2014-2018, pranë Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit, ku ka drejtuar fillimisht Drejtorinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe më pas në cilësinë e Sekretarit Kombëtar të Ujit. Nga viti 2017 deri në 2024 ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore. Gjatë angazhimit të saj në këto dy institucione, ka luajtur një rol kyç në hartimin e legjislacionit kombëtar për ujërat, përafrimin me Aquis e BE, si dhe në zbatimin e konventave dhe marrëveshjeve evropiane dhe ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe Znj. Lubonja ka shërbyer si Pikë Fokale për Shqipërinë në Konventën e Ujit pranë UNECE, duke përfaqësuar vendin në takimet e palëve dhe grupet e punës, si dhe duke ndihmuar në zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë. Prej vitit 2019, ajo është Kryetare e palës shqiptare në Komisionin Shqiptaro-Malazez për Menaxhimin e Ujërave me Interes të Përbashkët, duke udhëhequr bashkëpunimin ndërkufitar në këtë fushë. Gjithashtu, ajo ka marrë pjesë dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në aktivitete, takime dhe komisione ndërkufitare. Përveç kontributit të saj institucional, Znj. Lubonja është autore e një sërë publikimesh dhe kumtesash shkencore, të prezantuara në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, duke ndarë kështu përvojën dhe ekspertizën e saj në menaxhimin të ujërave dhe zhvillimin e politikave të qëndrueshme.