Gjendja në sektorin ujësjellës kanalizimeSektori i shërbimeve UK funksionon kryesisht nëpërmjet operatorëve të organizuar si shoqëri aksionare me pronar pushtetin vendor. Aktualisht në sektor operojnë 57 operatorë, 53 prej tyre janë të pajisur me licencë për ushtrimin e aktivitetit dhe 48 operojnë me tarifa të miratuara nga ERRU. Shërbimi me kanalizime nuk ofrohet nga të gjithë operatorët. Ky shërbim në sektor është ofruar nga 32 operatorë, 5 prej të cilëve kryejnë edhe trajtimin e ujërave të ndotura. ERRU konstaton se shoqëritë kanë vullnetin për të përmbushur dhe mbështetur përpjekjet e rregullatorit për krijimin e një mjedisi rregullator të qëndrueshëm dhe transparent në sektor.
Qeveria shqiptare hartoi dhe po zbaton Reformën administrative – territoriale, reformë e cila shënon një hap të rëndësishëm edhe në mënyrën e organizimit të shërbimeve të furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të ndotura. Riorganizimi i këtyre shërbimeve sipas ndarjes së re territoriale në Republikën e Shqipërisë është i nevojshëm për të realizuar një situatë optimale në garantimin e furnizimit të vijueshëm me ujë të pijshëm dhe në përmirësimin e ndjeshëm të funksionimit të sistemit të kanalizimeve.
Në kuadër të kësaj reforme, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 63, datë 27.01.2016 “Për riorganizimin e operatorëve që ofrojnë shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimin, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura”, përcakton të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë që duhet të ndjekin bashkitë e reja për riorganizimin e operatorëve të shërbimeve UK, transferimin e sistemeve UK që janë përfshirë rishtazi në zonën administrative të bashkive, inventarizimin dhe kontabilizimin e tyre, deri te licencimi dhe miratimi i tarifave për operatorët e riorganizuar. Më tej operatorët duhet të aplikojnë për licencë dhe miratim tarife pranë ERRU-së që mund të jenë te diferencuara për zonën urbane dhe rurale.
Sektori është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, ndonëse nivelet dhe ecuria e treguesve nuk është e duhura krahasuar me objektivat strategjikë për sektorin dhe ato të performancës së mirë të ERRU.
Shqetësimi kryesor në sektor është niveli i lartë i humbjeve, tregues i cili nuk ka pasur një përmirësim të dukshëm. ERRU ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme se reduktimi i humbjeve duhet të jetë prioritet i punës së operatorëve, edhe pse kontrolli dhe zvogëlimi i humbjeve kërkon kohë dhe investime.
Mbulimi me shërbimin e furnizimit me ujë ka pasur tendencë pozitive por shërbimi i kanalizimeve vazhdon të mbetet prapa si për sa i përket mbulimit po ashtu edhe nivelit të kërkuar të shërbimit për të mundësuar mbrojtjen e ujërave dhe të mjedisit.
Burimet kryesore të financimit për shoqëritë, kanë qenë buxheti i shtetit dhe financimi nga donatorët e huaj në formën e huave apo granteve në raporte përafërsisht të barabarta. Këto investime janë fokusuar kryesisht në rehabilitimin e sistemeve të furnizimit ujësjellës kanalizime si edhe në ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura.